Mosantarësimi në INTERPOL ka ndikuar që Kosova të jetë vend tranzit i armëve

Republika e Kosovës po vazhdon të ballafaqohet me problematikën e armëve pa leje. Në vitin 2018, nga 32 vrasje, 26 janë me armë zjarri, që paraqet edhe rrezikun nga ky lloj i armëve.

Qytetarët duhet të vetëdijesohen për rëndësinë e legalizimit të armëve, dhe të shfrytëzojnë afatet e dhëna nga MPB për aplikim. Kështu u tha në tryezën mbi kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta dhe reduktimin e armëve të paligjshme në Kosovë.

Aty u tha se zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të realizohet pa paqe dhe siguri e flukset ilegale të armëve janë ndër faktorët që shkaktojnë dhunë, pasiguri dhe padrejtësi.

Përfaqësuesja e përhershme e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë , Alessandra Roccasalvo, tha se MPB ka një rol në informimin e qytetarëve të vendit se ku qëndron siguria në vend.

“Armët e vogla janë një sfidë me të cilën përballeni për vite me radhë”, tha ajo.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Koordinatori Kombëtar për Kontrollin e AVL-ve, Izmi Zeka, tha se Kosova jo vetëm që ka nevojë për siguri, sepse çdo vend i zhvilluar ka nevojë për siguri. Zeka tha se krahasuar me vendet e tjera, Kosova nuk qëndron keq me legalizimin e armëve. Duke pasur parasysh mentalitetin, ai tha nuk është dhe aq e lehtë çështja e legalizimit, pasi qytetarët kanë një hezitim sa i përket kësaj. Sipas tij, nëse legalizohet një armë, shpëtohet një jetë.

“Jemi dëshmitarë se në mbarë botën krimi dhe dukuritë negative janë duke u zhvilluar shpejt. Dhuna në familje, plaçkitjet e shumta, janë bërë problem i madh me të cilin po përballet Republika e Kosovës. Me qëllim të dhënies së mundësisë për qytetarët e Kosovës, MPB ka hapur afatin e parë që sa më parë të legalizojnë armët B, C dhe D. Inkurajoj qytetarët e Kosovës që sa më parë të shfrytëzojnë afatin e dhënë, të aplikojnë që të legalizojnë armët. Ne tani i kemi diku mbi 800 armë në procedurë”, tha ai.

Drejtori i Divizionit për Siguri Publike, Gazmend Hoxha, tha se Policia e Kosovës ka investuar edhe në pajisje të veçanta në drejtim të luftimit të armëve pa leje. “Sfidë për neve në luftimin e trafikimit me armë mbetet mosanëtarësimi i Kosovës në organizata botërore të sigurisë, sikurse është INTERPOL-i. Kosova nuk është vend i prodhimit të armëve, por vend tranzit”,u shpreh ai.

Besnik Sallahu, udhëheqës i ILECU në Policinë e Kosovës, tha se në Kosovë janë rreth 260 mijë armë ilegale.

“Ky hulumtim është bërë në vitin 2014, dhe nëse kësaj i shtojmë aktivitetin e Policisë për konfiskimin e armëve pa leje, besojmë se ky numër ka rënë dukshëm. Policia e Kosovës çdo vit konfiskon rreth 1300 armë pa leje. Vepra më e ndjeshme e kryer me armë është vrasja. Në vitin 2018, nga 32 vrasje, 26 janë me armë zjarri, që paraqet edhe rrezikun nga armët pa leje”, tha ai.

Kurse, Alian Lapon, këshilltar kryesor teknik në UNDP, tha se direktiva për legalizimin e armëve është shumë e rëndësishme. Ndërsa shtoi se nevoja për t’i mbajtur nën kontroll, duhet të bëhet përmes disa direktivave./kp/