Privatizimi i pjesshëm i Trepçës, i papranueshëm për punëtorët

Privatizimi i pjesshëm i kombinatit metalurgjik Trepça, nga përfaqësues të qeverisë në largim të Kosovës po shihet si forma më e mirë e rimëkëmbjes së kësaj ndërmarrjeje. Por, një ide e tillë po kundërshtohet nga përfaqësuesit e punëtorëve, të cilët njëherësh janë edhe aksionarë në këtë ndërmarrje.

Trepça është e regjistruar si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Shyqyri Sadiku, anëtar i Bordit mbikëqyrës të Trepçës, që përfaqëson dhe mbron të drejtat e punëtorëve të kësaj ndërmarrje, thotë për Radion Evropa e Lirë se privatizimi i pjesshëm i Trepçës është i papranueshëm për punëtorët.

“Trepça është një shoqëri aksionare dhe aksionar është 80 për qind Qeveria dhe 20 për qind punëtorët dhe se privatizimi nuk është zgjidhja më e mirë. Ne duhet t’i shterrim të gjitha mundësitë tona të brendshme. Trepça ka nevojë për investime dhe qeveria e ka për detyrë të bëjë investime kapitale. Unë besoj që me këta njerëz që kemi ne, nuk kemi nevojë për momentin të thërrasim investitorë të huaj që të hyjnë në Trepçë. Mund të dalim nga kjo situatë ne (punëtorët) së bashku me Qeverinë. Qeveria duhet të garantojë marrjen e kredive të buta nga mekanizmat ndërkombëtarë financiar dhe ta zhvillojmë Trepçën”, thotë Sadiku.

Privatizimi i pjesshëm i kombinatit metalurgjik “Trepça” është hedhur si ide nga ministri në dorëheqje i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka. Ai pati thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo do të ishte mënyra më e mirë për rimëkëmbjen e Trepçës.

“Ideja është që resurset natyrore të mbesin pronë shtetërore, por pjesa e menaxhimit, pjesa e operimit duhet të privatizohet në mënyrë që të jetë më efikase, të tërheqim investime të huaja, t’i përfshijmë në ‘Trepçë’ dhe të rritet prodhimi dhe përpunimi i brendshëm dhe kjo jo vetëm se do të ndihmonte punëtorët në ‘Trepçë’, por do t’i ndihmonte edhe eksporteve dhe tërë shtetit të Kosovës duke e vendosur në hartën botërore të minerareve dhe përpunimit të tyre”, pati thënë Lluka.

Kombinati metalurgjik “Trepça” tani e sa kohë është duke u përballur me krizë financiare dhe nivel të ulët të prodhimit.

Kryetari i Bordit mbikëqyrës të ndërmarrjes “Trepça”, Ardian Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se janë ithtarë të asaj që investimet në Trepçë të bëhen nga Qeveria e Kosovës, por nëse këto mundësi nuk ekzistojnë, atëherë sipas tij, edhe partneriteti publiko-privat apo investimet direkte do të ishin zgjidhje për situatën momentale të krijuar në Trepçë.

“Ligji për Trepçën parasheh forma tjera të përfshirjes së kapitalit privat në Trepçë. Është forma e partneritetit publiko-privat, janë investimet direkte të huaja, emetimi dhe shitja e aksioneve, mirëpo nuk ka privatizim në kuptim të plotë të fjalës. Janë forma tjera që parashihen me Ligjin për Trepçën e sigurisht edhe në Ligjin për Investime Strategjike, por kjo është një çështje që i takon aksionarit kryesor që është Qeveria e Kosovës”, tha Syla.

Profesori universitar në fushën e ekonomisë, Muhamet Sadiku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se është pozitiveqë Ligji për Trepçën ka hapur mundësi për investime të huaja.

Ai shton se në ekonominë e tregut nuk ekzistojnë mekanizma që qeveria duhet t’i mbajë gjallë ndërmarrjet, prandaj sipas tij, në disa segmente mund të futet kapitali privat, por kritike, siç thotë Sadiku, mbetet tërheqja e këtyre investimeve të huaja.

“Të gjitha kompanitë në një shtet duhet t’i nënshtrohen transformimit, respektivisht privatizimit. Për të ardhur akterët e privatizimit në Trepçë, është një punë e vështirë. Kosova duhet të bëhet një shtet miqësor për investime, duhet të fuqizohet shteti ligjor, duhet ditur kush për momentin mund të qeverisë këto proces ndërkombëtar. Shpëtimi nuk mund të vjen nga shteti. Shteti duhet të sigurojë legjislacionin, shteti duhet të sigurojë shtetin ligjor, duhet të sigurohet barazia e gjithë akterëve në treg, duhet të rritet transparenca dhe brenda kësaj platforme mund të vijnë investitorët në Trepçë”, thotë Sadiku.

Trepça llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi.

Trepça sot, brenda Kosovës, përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.

Kurse, 17 objekte afariste gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë, 11 asete gjenden në Serbi, 3 në Bosnje e Hercegovinë dhe 3 në Kroaci.