Studentë gjerman vizituan Komunën e Fushë-Kosovës

Një grup prej 26 studentëve, nga niveli master i Universitetit të Berlinit, së bashku me profesorët e tyre qëndruan në Komunën e Fushë-Kosovës. Interesimi i tyre ishte projekti i GIZ-it “Shërbimet e Qëndrueshme Komunale – Menaxhimi i Mbeturinave”.

Fillimisht, nënkryetari i Komunës, z.Fadil Krasniqi, iu dëshiroi mirëseardhje studentëve dhe i falënderoi ata që kanë zgjedhur Komunën e Fushë-Kosovës për ta vizituar. Pastaj ai theksoi se bashkëpunimi i Komunës sonë me GIZ-in Gjerman, tani e disa vite, është shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm, dhe GIZ-i vazhdon të jetë një partner shumë i rëndësishëm për Komunën e Fushë-Kosovës.
“Shprehim gatishmërinë tonë që të bashkëpunojmë edhe me projektet aktuale, dhe jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen” – tha z. Krasniqi.

Nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, përkatësisht nga z.Ejup Qyqalla, mysafirët gjerman u informuan në përgjithësi për fushën e menaxhimit të mbeturinave në komunën e Fushë-Kosovës.

Studentët u interesuan për numrin e lejeve të demolimit – të lëshuara nga viti i kaluar, pastaj u interesuan se cila është sasia e mbeturinave “m3” që është gjeneruar nga ky aktivitet, a ka të dhëna për llojin e mbeturinave nga mbetjet inerte të prodhuara etj.
Për këto dhe shumë pyetje tjera, studentët, morën përgjigje nga zyrtarë të drejtorive përkatëse komunale.