Vajza autike nominohet për çmimin “Nobel” të Paqes

Aktivistja 16-vjeçare e mjedisit Greta Thunberg ka mbërritur në New York pas një udhëtimi 15-ditor nëpër Atlantik me anije.

Ajo do të marrë pjesë në samitet e klimës së Kombeve të Bashkuara dhe në Kili. 16-vjeçarja Suedeze lundroi nga Plymouth në Mbretërinë e Bashkuar me një jaht me emetime zero të karbonit në mjedis, duke shmangur kështu ndotjen e tij.E SPONSORUAR

Pasi mbërriti në ishullin Coney të mërkurën në mëngjes, ajo ka nisur shëtitjet në qytet. Greta pritej të arrinte më shpejt, por detet e trazuara kanë ngadalësuar lundrimin e saj me anije. Ajo ka dokumentuar çdo moment të këtij udhëtimi prej 4800 km, duke publikuar foto në rrjetet sociale.

Duke u larguar nga Britania e Madhe dy javë më parë, ajo i tha BBC-së se udhëtimi me anije dërgon një mesazh se “kriza e ndryshimit të klimës është reale”. Kur Greta u pyet nëse mund ta bënte presidentin amerikan Donald Trump të dëgjonte, ajo u përgjigj me një ‘jo’ të thjeshtë. “Unë nuk jam aq e veçantë. Nuk mund t`i bind të gjithë”, është shprehur ajo. “Unë thjesht do të bëj atë që duhet, për të pasur më shumë ndikim”, ka thënë 16-vjeçarja, transmeton kultplus.

Ajo do të jetë e pranishme në samitin e klimës së Kombeve të Bashkuara më 23 shtator dhe në konferencën për klimin COP25 në Kili gjatë muajit dhjetor. E reja ka zënë titujt e gazetave pas ‘grevave të saj në shkollë’ të cilat kanë frymëzuar një lëvizje proteste për ndryshimin e klimës në të gjithë botë.

Greva e parë e saj për klimën u zhvillua jashtë Parlamentit të Suedisë në gusht të vitit të kaluar. Greta udhëtoi në Malizia II, një jaht garash me shpejtësi të lartë, me turbina nën ujore dhe pa emetime karboni.

Këtë udhëtim ajo e bëri me babanë e saj, kapitenin Boris Herrmann, një anëtar të familjes mbretërore të Monaco Pierre Casiraghi dhe një regjisor dokumentarësh suedez Nathan Grossman. Varka e saj nuk kishte dush apo tualet, sipas Reuters, ndërsa pjesëtarët e bordit janë ushqyer me ushqim të konservuar gjatë udhëtimit. E reja është nominuar për çmimin Nobel për Paqe në fillim të këtij viti.

Greta është diagnostikuar me Asperger, një formë e autizmit, të cilën ajo është shprehur se i lejon të shohë gjërat ndryshe. “Nëse do të isha si gjithë të tjerë, nuk do ta kisha filluar këtë protestë”, është shprehur ajo.